Rimbursimi TVSH - eksportuesit

V E N D I M

Nr. 202, datë 9.4.2014

 

PËR 

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE PËR EKSPORTUESIT PËR QËLLIM TË RIMBURSIMIT TË TVSH-SË 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5, të nenit 50, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:

1. Përcaktimin si eksportues, për qëllime të rimbursimit të TVSH-së, të personit të tatueshëm:

a) që eksporton sipas kuptimit të neneve 181 dhe 182, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”;

b) nëse vlera e eksporteve të bëra në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, përbën më shumë se 60% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet;

c) nëse ka tepricë kreditore që tejkalon shumën 400 000 (katërqind mijë) lekë.

2. a) Eksportues me risk zero është personi i tatueshëm eksportues, sipas   pikës 1, që plotëson kushtet e mëposhtme:

i. Vlera e eksporteve të bëra në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, përbën 100% të vlerës së përgjithshme të shitjeve;

ii. Ka aktivitet eksportues mbi dy vjet;

iii. Paraqet si dokument prove të kryerjes së eksportit deklaratën doganore të eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në Republikën e Shqipërisë;

iv. Nuk ka detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

b) Për personat e tatueshëm, të klasifikuar me risk zero sipas kësaj pike, miratimi i rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore bëhet pavarësisht nga kontrolli tatimor, i cili mund të kryhet në çdo moment, sipas planifikimit për kontroll. Procedura e rimbursimit kryhet sipas përcaktimeve të bëra në nenin 50, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, dhe të udhëzimit nr.17,  datë 13.5.2008, të ministrit të Financave, “Për TVSH-në”, të ndryshuar.

3. Eksportuesi, që nuk plotëson kushtet e pikës 2, të këtij vendimi, rimbursohet për TVSH-në brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, sipas procedurës së përcaktuar në udhëzimin nr.17, datë 13.5.2008, të ministrit të Financave, “Për TVSH-në”, të ndryshuar.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

Botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 54, datë 21 Prill 2014. 

CAKTO NJE TAKIM+355 52 230334
NA SHKRUANIinfo@ek-sk.com
NA VIZITONIQendra EGT, Durres

Kontakte

     

Adresa: Qendra EGT Lagja: 3; Rruga: G.Durrsaku.
Durres, Albania 2001
Telefon:
+355 52 230334
E-mail:
This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Designed by: Oxygen Studio