Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave projektligjet e Paketës Fiskale për vitin 2020.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja vuri në dukje se Paketa Fiskale e këtij viti nuk është një paketë tipike, e cila do të sillte ndryshime në përllogaritjen e të ardhurave, por fokusohet në ndryshimet e disa ligjeve kryesore, si ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”; ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”; ligjin “Për taksat kombëtare”; si dhe ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
Një prej pikave kryesore të Paketës Fiskale 2020 është incentivimi i sektorit të industrisë automotive, ku norma e tatim fitimit për sipërmarrjet që operojnë në këtë sektor parashikohet të jetë 5 %, nga 15% që është aktualisht.
Gjithashtu, Paketa konsiston edhe në harmonizimin e disa dispozitave ligjore me përcaktimet e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Në këtë drejtim parashikohet harmonizimi dhe unifikimi i kundërvajtjeve administrative që lidhen me çështjen e faturimit, duke synuar përshkallëzimin e gjobave sipas përgjegjësisë tatimore.
Ministrja Denaj u shpreh se objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk është rritja e të ardhurave përmes gjobave, pasi informaliteti nuk mund të luftohet me gjoba. Megjithatë, znj. Denaj theksoi se elementi gjobë është i rëndësishëm të jetë i përshkallëzuar sipas madhësisë së biznesit dhe frekuencës të gjetjes në shkelje të ligjit.
“Kjo paketë fiskale nuk është një paketë tipike, e cila do të kishte ndryshime në përllogaritjen e të ardhurave. Ne gjykojmë që ndryshimet administrative do të krijojnë një bazë jo vetëm të mirë për të përcaktuar platformën e aplikimit më të mirë të rregullave për ligjin e ri të fiskalizimit që pritet të vijë për diskutim dhe në komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe në komisionet e tjera, por mbi të gjitha për të sistemuar disa elementë të mirëadministrimit të gjetur këtë vit si një nevojë e domosdoshme gjatë procesit të luftës ndaj informalitetit”, u shpreh znj. Denaj.
Me poshte do te gjeni draftet e pergatitura per miratim.
Projektiligji per Taksat kombetare
Projektiligji per TVSH
Projektiligji per Tatimin mbi te Ardhurat
Projektiligji per Procedurat Tatimore (fiskalizimi)
Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise