Projektligji, per regjistrimin (hipotekat) e pallateve te rinj

shekulliKy artikull eshte publikuar nga: www.shekulli.com.al

Qeveria ka sjellë sëfundmi për shqyrtim në Kuvend ligjin e ri për Hipotekat, i cili parashikon ndryshime thelbësore në të gjithë procesin e regjistrimit të pronave. Drafti sapo është dërguar në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë dhe pritet të shqyrtohet gjatë ditëve në vijim nga Komisionet përkatëse.

Një ndër risitë kryesore që paraqet ligji dhe që prek një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, është regjistrimi i pallateve që prej marrjes së lejes së ndërtimit duke i dhënë kompanisë ndërtuese një certifikatë pronësie të përkohshme, e cila më pas do të përdoret për dhënien e hipotekës për secilin blerës apartamenti. E njëjta gjë do të vlejë edhe për ata që blejnë apartament në gropë. Raste të tilla janë ato kur blerësi dhe ndërtuesi lidhin marrëveshje paraprake. Apartamentet e shitura në këtë mënyrë blihen disi më lirë në raport me të tjerët, ndërsa zakonisht blerësi duhet të bëjë një pjesë të pagesës. Çdokush do ta ketë të sigurt që në momentin e përfundimit të ndërtesës ai do të marrë sipërfaqen e parablerë dhe në pozicionin e parashikuar.

Procedura do të jetë e tillë: Menjëherë pasi ka lëshuar një leje ndërtimi, bashkia ia dërgon atë Zurës Vendore të Regjistrimit të Pasurive, e cila e regjistron lejen në një regjistër të veçantë duke bërë lidhjen me truallin ku po ngrihet ndërtesa. Pas këtij veprimi, të gjithë ata që kanë një marrëveshje me kompaninë për të blerë një apartament në ndërtesën e regjistruar mund të vijnë të bëjnë regjistrimin e hapësirës në emrin e tyre. Sipas ligjit, e gjithë procedura zgjat deri në 10 ditë. Pas regjistrimit të hapësirës së prenotuar, blerësi gëzon të drejtën e pronësisë së plotë mbi të dhe mund të bëjë shitje.

Karabinatë

Krahas lejeve, ligji i ri parashikon edhe regjistrimin në hipotekë të të gjithë ndërtesës së pallatit. Bëhet fjalë për të gjitha pallatet që janë ndërtuar, por që nuk kanë ende Hipotekë. Në këtë mënyrë, të gjithë personat që kanë blerë një apartament, por për shkaqe të ndryshme nuk e kanë atë të regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Me regjistrimin e karabinasë në Hipotekë, investitori nga njëra anë i krijon mundësi vetës për ta përdorur atë si kolateral për të marrë kredi, por nga ana tjetër i krijon tepër lehtësi blerësit për të marrë hipotekën e apartamentit në tij. Në situatën kur karabinaja është regjistruar, blerësi i apartamentit do të ketë mundësi që në momentin e përfundimit të punimeve dhe marrjes së lejes së shfrytëzimit nga ana e pushtetit lokal, të aplikojë për marrjen e Certifikatës së Pronësisë mbi apartamentin, marrëveshja për të cilin ekziston në regjistrat e Hipotekave.

Aktiviteti i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive që paluajtshme pëson një ndryshim thelbësor me ligjin e ri të propozuar nga Ministria e Drejtësisë duke filluar nga organizimi, krijimi dhe ruajtja e të dhënave për pasuritë e paluajtshme e deri tek lëshimi i certifikatave të pronësisë.

Kontratat e qirasë regjistrohen në Hipotekë

Të gjitha kontratat e qirave me një afat kohor më të gjatë se 1 vit do të regjistrohen në Hipotekë. Në rastet kur objekti jepet me qira për një periudhë kohore më të gjatë se 9 vjet, kjo do të bëhet duke kryer ndryshime në Certifikatën e Pasurisë së Paluajtshme. Në çdo rast, dhënien me qira të një apartamenti, magazine, zyre, etj., noteri do të jetë i detyruar që të bëjë edhe ndryshime në Certifikatën e Pronësisë së qiradhënësit. Në të, krahas emrit të pronarit do të shënohet edhe fakti se ajo është lëshuar me qira përfshirë edhe qiramarrësin. Madje, në rastet kur nuk jepet e gjitha prona por një pjesë e saj me qira, parashikohet hapja e një kartele të re të pasurisë posaçërisht për atë pjesë duke shënuar edhe të dhënat e mësipërme.

Regjistri elektronik përdoret edhe nga bankat apo noterët

Regjistri i pronave, tashmë do të jetë edhe në formë elektronike. Krahas punonjësve të hipotekave, në të do të kenë leje të hyjnë edhe bankat apo noterët. Kjo u lejohet për shkak të funksionit që ato kanë duke u dhënë mundësi që të marrin të dhëna nga regjistri. Në rastin e bankave, ato do të kenë mundësi që të verifikojnë pasurinë e klientëve vetëm nëpërmjet një kodi të veçantë që do t’u jepet nga Zyra e Përgjithshme e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të hyrë në sistem. Personat që do të futen duhet të jenë të besueshëm. Krahas, kodit, personi do të përdorë edhe shenjat e gishtave. Roli i noterëve është rritur në këtë drejtim pas një vendimi të qeverisë, i cili u jep mundësi atyre që të nxjerrin Certifikatat e Pronësisë, por nëpërmjet Regjistrit Elektronik.

Etapat, për nxjerrjen e hipotekës

1-Bashkia/komuna regjistron lejen e ndërtimit në Hipotekë

2-Në rastet e kontratave për blerje në gropë apo kur nuk kanë mbaruar punimet ato regjistrohen në një regjistër të veçantë pranë Hipotekave për t’u përdorur për regjistrimin përfundimtar

3-Kur mbaron karabinaja, investitori kërkon regjistrimin e saj të përkohshëm në Regjistrat e Pasurive të Paluajtshme duke kryer lidhjen me truallin, në të cilin po kryhet ndërtimi dhe është i vlefshëm deri në përfundimin e objektit, për efekt të kreditimit të investitorit ose regjistrimit të kontratave paraprake

4-Kontratat e shitjes në këtë moment regjistrohen në Hipotekë dhe blerësit pajisen me certifikata të përkohshme pronësie

5-Pas përfundimit të punimeve, investitori kërkon regjistrimin përfundimtar të ndërtesës në Hipotekë

6-Bëhet kontrolli i sigurisë fizike të ndërtesës dhe lëshohet leja e shfrytëzimit

7-Qytetarët kanë mundësi që të aplikojnë veçmas për marrjen e Certifikatës së Pronësisë së përhershme për apartamentet e blera

CAKTO NJE TAKIM+355 52 230334
NA SHKRUANIinfo@ek-sk.com
NA VIZITONIQendra EGT, Durres

Kontakte

     

Adresa: Qendra EGT Lagja: 3; Rruga: G.Durrsaku.
Durres, Albania 2001
Telefon:
+355 52 230334
E-mail:
This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Designed by: Oxygen Studio