Vendoset program i ri në serverin që monitoron pajisjet fiskale. Gjoba për kuponët

shqipKy artikull eshte publikuar nga: www.gazeta-shqip.com/

Kush nuk lëshon kuponin tatimor me anë të kasës fiskale, duhet të bëjë kujdes, pasi Tatimet kanë instaluar një pajisje të re që monitoron ecurinë e regjistrimit të shitjeve. Kanë kaluar rreth dy vjet nga vendosja e kasave dhe përdorimi i tyre duke lëshuar kuponë lë shumë për të dëshiruar. Shumë biznese e blenë pajisjen vetëm për të shmangur penalitetet nga Tatimet, por lëshimi i kuponit duket si mision i pamundur nga administrata që të verifikonte nivelin e zbatimit të ligjit. Situata arriti deri aty sa diskutohej mes ekspertë dhe zyrtarëve të qeverisë nëse procesi i instalimit të kasave ishte thjesht një procedurë, detyrim i BE-së, apo referomë e nevojshme për formalizimin e ekonomisë.

Me pak mund, për shkak të fondeve dhe zvarritjes së tenderit, administrata tatimore ka siguruar një server të ri, një pajisje të posaçme që bën të mundur kontrollin online, d.m.th, në çdo sekondë të aktivitetit të biznesit që ka të instaluar kasë fiskale, kudo qoftë. Mjafton të vendoset emri i subjektit bashkë me niptin dhe numrin serial të kasës, dhe Tatimet hyjnë direkt në regjistrin e shitjeve të biznesit, ku mësohet qartë xhiroja dhe sa herë është përdorur kuponi. Kuptohet qartë se nëse një furrë buke në Tiranë ka lëshuar 50 kuponë deri në orën 12 të paradites, ka shumë mundësi të ketë fshehur xhiron. Serveri lejon të shikosh historikun në çdo orë, moment të ditës, dhe në varësi të aktivitetit privat apo vendndodhjes, Tatimet e kanë më të qartë se po abuzohet me fshehjen e të dhënave.

Analiza e riskut

Me vendosjen e softwere-it të ri, Tatimet kanë mundësi të “luajnë” më kollaj me terrenin e vështirë të informalitetit. Pajisja që kushtoi rreth 100 mijë euro, bën të mundur të kuptosh se cilat biznese bëjnë me hile, sa herë e përdorin kasën dhe vlerat që shënohen në kuponin tatimor. “Me pajisjen e re jemi duke menduar të zhvillojmë analizat e riskut, ku me anë të kontrolleve të vazhdueshme, mbi bazën e normës mesatare dhe logjike të përdorimit të kasës, jemi në gjendje të kuptojmë se biznesi konsiderohet potencial për shmangie të taksave. Pajisja na e bën më të qartë identifikimin e subjekteve të ndershme dhe kush konsiderohen me risk”, - sqarojnë për gazetën “Shqip”, burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave. Në ditët e ardhshme, Tatimet do të bëjnë publike rezultatet e disa analizave mbi masën e lëshimit të kuponëve për biznesin tregtar, të vogël dhe të mesëm. Kujtojmë se një skemë e tillë monitorimi është kryer për rreth 70 për qind të pikave të karburantit që kishin vendosur pajisje fiskale, dhe ku rezultoi një masë më e lartë e deklarimit të xhiros, në vlera disa milionë dollarë më shumë se një vit më parë, kur subjektet nuk i kishin të instaluar ende kasat.

Në tre vitet e fundit, procesi i vendosjes së kasave është shoqëruar disa herë me ndryshimin e ligjit për sanksionet. Pothuajse, një herë në vit qeveria rriste masën ndëshkuese për bizneset që nuk i vendosnin kasat, dhe vitin e fundit gati trefishoi gjobat për subjektet që nuk lëshonin kuponin.

Tashmë 80 për qind e sektorit privat në vend është i pajisur me kasa fiskale, kurse pjesa e mbetur ndodhet e shtrirë në zona të thella të vendit, edhe pse sinjali i dërgimit të të dhënave funksionin më së miri me anë të shërbimit të në operatori celular. Tashmë për Ministrinë e Financave dhe Tatimet në veçanti, sfida më e madhe është shfrytëzimi i këtyre pajisjeve, përdorimi sa më i madh nga ana e biznesi, duke rritur kështu masivisht xhirot e deklaruar, e për rrjedhojë të ardhurat në shtet me taksat e paguara.

Moslëshimi i kuponit konsiderohet një veprim i rëndë nga Tatimet dhe shoqërohet me gjoba të majme, të cilat arrijnë deri në 5 milionë lekë, në rast se biznesi i përsërit tri herë. Kështu, në kontrollin e parë gjoba për biznesin e madh është 200 mijë lekë, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë 100 mijë lekë. Në rast se kjo shkelje konstatohet për së dyti, biznesi i madh gjobitet në masën 300 mijë lekë, kurse të tjerët me 200 mijë lekë. Ndërkohë që në rast se kjo konstatohet edhe në kontrollin e tretë, biznesit i vendoset një gjobë në masën 500 mijë lekë, ose i mbyllet biznesi. Edhe për rastet kur tatimpaguesit mund të lëshojnë një kupon me vlerë të pashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara me ligj, parashikohet gjobë në masën 30 mijë lekë. Ndëshkime të forta parashikohen edhe për kompanitë e autorizuara të shitjes së kasave, të cilat nëse nuk ofrojnë shërbimin sipas mënyrës së përcaktuar me ligj, gjobiten 50-100 mijë lekë. Në rast se këto subjekte shesin pajisje të subjekteve të paautorizuara, gjoba arrin vlerën një milionë lekë dhe sekuestrim të pajisjeve.

CAKTO NJE TAKIM+355 52 230334
NA SHKRUANIinfo@ek-sk.com
NA VIZITONIQendra EGT, Durres

Kontakte

     

Adresa: Qendra EGT Lagja: 3; Rruga: G.Durrsaku.
Durres, Albania 2001
Telefon:
+355 52 230334
E-mail:
This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Designed by: Oxygen Studio